"Cmimi Idromeno 2022" edc i VII-te Titulluar -Promisess- Kuruar nga Yllka Gjollesha
Poster Edc i VII-te i CMIMIT IDROMENO 2022
Cmimi IDROMENO 2022 - "PROMISSES" Në kuptimin kronologjik të fjalës, arti bashkëkohor është pasues i drejtpërdrejtë i artit modern. Por, nëse arti modern i theu kufijtë e figuracionit klasik, arti bashkëkohor, shpesh, e kapërcen edhe vetë konceptin e njohur të veprës së artit, në një proces të vazhdueshëm krijues, i cili ngre pikëpyetje, provokon dhe hedh në diskutim kufijtë ontologjikë dhe moralë të të bërit art. Paradigmat e globalizimit dhe humbja e pikave të referimit në hapësirë dhe në kohë, nxorrën më shumë në dukje qasje krejt personale të ndikuara shpesh nga faktorë biografikë, socialë apo edhe fetarë, të cilët u rivlerësuan në procesin krijues. Arti bashkëkohor shqiptar tashmë ka hyrë në rrugën e konsolidimit të tij dhe këtë e pranojnë të gjithë. Pas periudhës së parë të një "çoroditjeje" të kuptueshme dhe të justifikueshme të viteve '90, ku ekspozitat e "artit modern" u kthyen në rituale të përjavshme, sa të zhurmshme e të gëzueshme, aq edhe naive, tashmë dita ditës ndeshemi me fenomene më serioze artistike, të cilat përherë e më tepër rezonojnë me krijimtarinë bashkëkohore kudo në botë dhe shpesh bëjnë pjesë e konkurrojnë denjësisht me të. Sot jetojmë ngjizjen e një mjedisi artistik dinamik shumëdimensional, të mbushur me ambicie dhe dëshirë për sukses, me debate e koncepte të ndryshme, shpesh edhe konfliktuale, në një garë ku problemet në diskutim i kalojnë caqet e "modernes" apo "tradicionales". Dita ditës arti shqiptar pasurohet me prurje cilësore që vijnë nga artistë me prejardhje, mosha dhe edukim të ndryshëm, gjë që kontribuon, natyrisht, në pasurimin e pashmangshëm të shprehjes artistike. Në gjithë këtë mjedis, krahas shumë ngjarjeve të tjera periodike në skenën e artit bashkëkohor shqiptar, ekspozita e përvitshme që ndan çmimin "Kol Idromeno", vjen si një kontribut gjithmonë interesant i asaj prodhimtarie artistike që sot zhvillohet në këtë qytet të kulturës, por edhe më gjerë. Në edicionin e sivjetëm është mbajtur parasysh edhe tradita e mëparshme e organizimit të këtij eventi, ku një prej qëllimeve më të rëndësishme ka qenë gjithmonë promovimi dhe ballafaqimi i krijuesve të rinj në moshë me publikun. Titulli "Promisses" shtjellon më së miri kërkesën për të gjetur dhe shfaqur elementë origjinalë, të cilët premtojnë për zhvillim dhe ecuri të mëtejshme. Ka prej tyre studentë, të sapo diplomuar, apo edhe nga ata që kanë disa vjet që krijojnë. Ata paraqiten të ndryshëm, origjinalë dhe interesantë. Territoret e eksplorimit i kanë të ndryshme, mediumet që përdorin fillojnë prej pikturës e deri tek fotografia apo videoarti. Dikush është meditativ dhe delikat në prekje, dikush më shumë gjestual dhe thuajse abstrakt, dikush tjetër është i ndjeshëm ndaj problematikave sociale e tjetri i zhytur në "kullën e fildishtë" personale, për t'u mbrojtur ndofta nga këto probleme. Të gjithë i bën bashkë pasioni dhe dëshira për t'u shprehur në këtë rrugë të vështirë por gjithaq magjike. Kuruar nga Yllka Gjollesha Prill- Shtator 2022