Salloni i Vjeshtes 2019 - Medium Operandi
SALLONI I VJESHTËS 2019 / MEDIUM OPERANDIʺ Njoftim I Galerise se Arteve Shkoder mbi rregulloren e pjesmarrjes se edicionit 2019 Galeria e Arteve Shkodër, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, organizon edicionin e 13-të “Salloni i vjeshtës” 2019. Edicioni i 13-të i këtij aktiviteti, kurohet konceptualisht nga dy artistë të fushës akademike, nga Prof. Z. Sadik Spahija dhe Prof. Z. Rubin Mandija. Koncepti kuratorial i këtij edicioni kërkon të evidentojë identitetin e stilit dhe mjetit shpehës individual të artistit, si ana me thelbësore ku përkthehet marëdhënia e artistit me botën që e mbështjell. Ajo që mbërrin para publikut është vepra artistike si karakteri më përshkrues i gjuhës që lind pikërisht nga filtri evokues shpirtëror dhe gjestit intelektual të artistit. Kjo mënyrë e të vlerësuarit të “mjetit shprehës ose Medium Operandi-t” shfaqet si elementi përcaktues që ç’kodon një lloj qasje të njohjes së realitetit dhe bën më të gjërë pjesëmarrjen, llojin teknikat dhe diskursin filozofiko-etik për mbi veprën e artit dhe efektin e saj në publik. Një juri e përbërë nga profesionistë të fushës, kombetare dhe ndërkombëtare, do të përzgjedhë çmimet fitues të Sallonit të vjeshtës 2019 që do të jenë tre: Çmimi i parë do jetë me vlerë 100.000 lekë (përfshirë detyrimet tatimore). Çmimi i dytë do të jetë me vlerë 70.00 lekë (përfshirë detyrimet tatimore). Çmimi i tretë do të jetë me vlerë 50.00 lekë (përfshirë detyrimet tatimore). Veprat fituese do të bëhen pjesë e koleksionit të Galerisë së Arteve Shkodër. Vlerësimet e jurisë së aktivitetit nuk përbëjnë subjekt replikimi të mëtejshëm. Rregullat e pjesmarrjes: - Pjesmarrja është e lirë. - Ftesa është e hapur për të gjithë artistët në mediumet e pikturës, skulpturës, grafikës/vizatimit, fotos, videos dhe instalacionit. - Çdo autor duhet të paraqitet me nga një vepër të paekspozuar më parë në GASH. - Punimet e ekspozuara do të publikohen në katalogun që do të shoqërojë aktivitetin në fjalë. - Formati i veprave në pikturë (vaj, tempera, akrilik, kolazh, teknikë e përzier) dhe formati i veprave grafike (vizatime me laps, karbon, pastel, akuarel, teknika grafike të incizimit, etj) nuk duhet ti kalojë 200 cm (gjerësi) x 150 cm (lartësi). - Në pjesën e pasme të çdo punimi duhet të shkruhen qartësisht të dhënat e autorit dhe të veprës : emri -mbiemri i autorit, adresa, nr.i telefonit, titulli i veprës, teknika, viti i realizimit dhe formati. - Artistët pjesmarrës duhet të tërheqin punimet e tyre brenda javës që pason mbylljen e aktivitetit. - Pjesmarrësit në këtë aktivitet duhet të pranojnë fillimisht zbatimin e rregullave të pjesëmarrjes të përshkruara më sipër (autorët që dakordojnë me kushtet e aktivitetit janë të lutur të firmosin në formularin e pjesëmarrjes!).. -Dorëzimi i punëve duhet të shoqërohet me një fotografi të qartë të veprës mbi 1200x800 mpx ose 300 dpi, bashkangjitur me një përshkrim të shkurtër në word të teknikës dhe natyrës së veprës fizikisht ose në format elektronik përmes emailit: galeriaearteveshkoder@gmail.com -Ftohen artistët e interesuar të bëjnë dorëzimin e punimeve pranë kësaj galerie çdo ditë pune, nga ora 09:00 – 15:00, deri me datën 1 nëntor Faleminderit për bashkëpunimin! GALERIA E ARTEVE E SHKODRËS