Salloni i Vizatimi

Tashmë, Ekspozita-konkurs e përvitshme e "Sallonit të Vjeshtës" hyn në nëntorin e parë pas dhjetë vitesh organizim. Përgjatë kësaj periudhe u trajtuan një sërë temash duke ofruar vit pas viti momente reflektimi të artistëve pamorë në raport me shoqërinë, duke kulmuar në edicionin e dhjetë me Sallonin e Qytetit. Ndërkohë, vëmë re se mediumet mbizotëruese (për të mos thënë të vetmet) me të cilët artistët janë paraqitur janë piktura dhe skulptura (me ndonjë përjashtim edhe instalacione). Vizatimi si gjini më vete nuk është lëvruar aspak.

Që herët, gjatë historisë hasen dy qëndrime, të cilat burojnë qysh me ndikimet e forta të mendimtarëve grekë mbi artin e në veçanti në lidhje me epërsinë ose jo të vizatimit ndaj pikturës, e që vazhdojnë deri në fillimshekullin e kaluar. Nëse vizatimi shihej prej tyre si më i privilegjuar në status ndaj pikturës për shkak të lidhjes me gjeometrinë, racionalen e numrin, ngjyra kishte karakter të dyshimtë pasi lidhej më tepër me sipërfaqësoren dhe nuk “matej” dot. Ky qëndrim pëson një ndryshim me Leonardon, i cili me anë të perspektivës hapësinore, ku protagoniste është ngjyra, i jep asaj të njëjtën rëndësi e status me vizatimin. Është i njohur rasti i shkollave të artit ndër të cilat më të përmendurat janë ajo fjorentine dhe venedikase, raportin mes cilave shumë studiues e emërtojnë edhe si “Disegno versus colore”. Fillimshekulli i kaluar shenjon një kthesë në favor të ngjyrës pas një sërë zhvillimesh më të hershme që zënë fill me hovin industrial, zbulimet arkeologjike (vërtetohet që monumentet e lashtësisë ishin polikrome e jo të bardha siç besohej deri vonë) e vëmendjen e shtuar ndaj fushës së psikologjisë.

Po të duam të përmendim disa nga autorët-vizatues më të njohur, na vijnë ndër mend emra që nga Apeles, e deri tek Rembrandt, Dürer, Ingres, mjeshtrat kinezë (tek të cilët shihet një lidhje organike mes të shkruarit dhe të vizatuarit) etj, për të ardhur tek autorët e sotëm si videoartisti Kentridge dhe Cy Twombly, me të cilët (por jo vetëm) statusi i vizatimit jo vetëm që arrin nivelin e veprës më vete, por edhe pëson transformime të denja për volume studimore në fusha të ndryshme.

Vizatimi si proces është lëvruar në disiplinat e skulpturës, grafikës dhe pikturës. Ai lidhet së pari me aftësitë motorike të njeriut (një formë është psh. automatizmi nga ku na çon tek automatat ose skulpturat “lëvizëse”) dhe përmban cilësi si ndjeshmëria, intimiteti, vërtetësia... Ai ofron gjithashtu një mundësi shkëputjeje nga realja më e spikatur, në krahasim me pikturën e formën e modeluar apo fotografinë. Duke pasur një prirje drejt abstraktes, ai nxit reagimin përmes përgjigjeve më gjithëpërfshirëse në proceset rindërtuese të cilat përbëjnë bazën e reagimit të çdo njeriu (aty ku ka “mungesë” ka nevojë për plotësim).

Ky raport mes mungesës dhe nevojës për plotësi e përmbushje të formës/ imazhit, sillet në vëmendjen e artistëve pjesëmarrës të Sallonit të Vizatimit.

Cilët janë kufijtë e mundshëm përfytyrues e mendorë njëkohësisht dhe cili është fryti i shkërbimit nëpërmjet mediumeve të ndryshme të përvijimit? I nisur, shpesh mbi një copë letre të rastësishme aty për aty, vizatimit i njihet rëndom roli i hapit fillestar në një numër të atillë, që mendohet se përbëjnë veprën e artit. Nga ana tjetër, ai zë vend si pikënisje e njëkohësisht si refuzim për më tej, nën një timbër lakonik me pikësynim reduksionist e distilues të imazhit.

Vizatimi, si në rastin e Pikasos (Boudaille G.) kthehet dhe merr formën e një ditari si pjesë e pandashme, ku artisti hedh idetë dhe vizionet e tij.

Sol LeWitt thotë që:

“... nëse artisti shtjellon një ide dhe e kthen atë në një trajtë të dukshme, atëherë të gjithë hapat gjatë procesit kanë rëndësi. Vetë ideja, edhe sikur të mos hidhej psh në letër, është njëlloj vepër arti, si edhe çdo krijim i përfunduar. Të gjithë hapat e ndërmjetëm, shkarravinat, skicat, vizatimet, dështimet, modelet, studimet, mendimet e bisedat përbëjnë interes”.

Emma Dexter, autorja e përmbledhjes studimore me vizatime të mbi 100 artistëve të prejardhjeve të ndryshme me titull “Vitamin D”, në pjesën hyrëse thekson dy fusha kryesore në të cilat zhvillohet sot vizatimi:

“ I pari është diskuri teorik, konceptual i vizatimit ... pastaj vjen aspekti tjetër kulturalisht i përpunuar i tij, i cili nuk mbështetet mbi një kuptim teorik apo filozofik të asaj që vizatimi është në vetvete, por mbi fushat e përvojës njerëzore me të cilat vizatimi është lidhur ... e menjëhershmja ... kujtesa ... përshkrimi ...
Vizatimi është një ndjenjë ...”

Pas 10 edicioneve të mëparshme, ky Sallon kërkon të zërë vend mes këtyre tipareve në një qëndrim reflektues duke peshuar mbi marrëdhënie mendore e rol të pavarur më shumë sesa mimetik e shtues.

Gërvishtje, shenjim, goditje, përvijim, theks, ndërprerje...

Laps, karbon, pastel, penel, lavis, sepia,...

letër, karton, xham, fletë metalike, mermer, dërrasë, suva, ...

Që nga incizionet e shpellave e deri tek kolazhi, nga automatizmi e deri tek era digjitale e IPAD-it, vizatimi na flet përmes teknikash të thjeshta e të stërholluara, të afta të ngrejnë diskure me interes, gjë të cilën e dëshiron edhe kjo ekspozitë-konkurs.

Rregullat e pjesëmarrjes:
- Pjesëmarrja është e lirë pavarësisht nga vendbanimi.
- Ftesa është e hapur për të gjithë artistët në mediumin e vizatimit.
- Çdo autor mund të paraqitet me vepra të paekspozuara më parë në GASH.
- Punimet e ekspozuara do të publikohen në katalogun që do të shoqërojë aktivitetin në fjalë.
- Formati i veprave (vizatime me laps, karbon, pastel, akuarel etj.. mbi suporte të ndryshëm,) nuk është I kufizuar.
- Në pjesën e pasme të çdo punimi duhet të shkruhen qartësisht të dhënat e autorit dhe të veprës : emri -mbiemri i autorit, adresa, nr.i telefonit, titulli i veprës, teknika, viti i realizimit dhe formati.
- Galeria nuk merr përsipër transportin e veprave në fjalë.
- Artistët pjesëmarrës duhet të tërheqin punimet e tyre brenda javës që pason mbylljen e aktivitetit.
- Pjesmarrësit në këtë aktivitet duhet të pranojnë fillimisht zbatimin e rregullave të pjesëmarrjes të përshkruara më sipër.
Ftohen artistët e interesuar të bëjnë dorëzimin e punimeve pranë kësaj galerie çdo ditë pune, nga datat 6-16 nëntor 2017, ora 8.oo – 15.oo, Mbas këtij afati nuk do të pranohet asnjë punim.
Faleminderit për bashkëpunimin!
GALERIA E ARTEVE E SHKODRËS