SALLONI I VJESHTES 2016
 

Galeria e Arteve e Shkodrës, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, organizon “Salloni i vjeshtës” 2016. Edicioni i 10-të i këtij aktiviteti, i kuruar nga Sidi Kanani dhe Suzana Varvarica Kuka, vendos në qendër të tij  marrëdhëniet mes qytetit dhe Sallonit duke formuluar njëkohësisht një homazh për të largëtin Salon të vjeshtës parisiane të 1903 prej nga ai merr emrin: 

 “Salloni i Qytetit

Viti 2016 është viti i dhjetë i ekspozitës - konkurs “Salloni i Vjeshtës”, e cila është kthyer në një traditë për qytetin e Shkodrës. Salloni i Vjeshtës ka krijuar historinë e vet përmes krijimtarisë së artistëve dhe kjo ka bërë që të jetë jo vetëm një veprimtari kryesore e jetës së artistit, por edhe një ngjarje në të gjithë jetën e qytetit. Kjo është arsyeja, që në këtë përvjetor, koncepti i ekspozitës konkurs t`i përkasë imazheve të qytetit dhe fizionomisë së tij, strukturës, përmasave dhe hapësirave të tij, vendeve historike që i formulojnë jetëgjatësinë, këndpamjet më të spikatura dhe referuese, gjurmët e tij të hershme figurative dhe ato më moderne, punës, argëtimit dhe kënaqësisë së banorëve të vet. Më mirë se arti dhe artisti askush nuk mund të na i tregojë dimensionet e qytetit ku jetojmë dhe se ekspozita "Salloni i Vjeshtës" është instrumenti që mund të bashkojë bashkë fizionominë e qytetit me artin pamor, qoftë ai dydimensional apo tredimensional. Nëpërmjet kësaj ne synojmë që të japim një ide më të qartë të marrëdhënies mes SALLONIT, si hapësirë artistike e rëndësishme dhe QYTETIT, si hapësirë e jetës së përditshme, në të cilën artisti kërkon të ndërhyjë e ta ngacmojë vazhdimisht me anë të mjetit artistik dhe të na e ritregojë qytetin sipas figurave të tij imagjinare.  Artistët, në këtë vjeshtë të 2016, ftohen të promovojnë para publikut figurat e imagjinatës dhe kreativitetit të tyre më cilësor mbi qytetin dhe jetën e banorëve të tij. Kjo do të sjellë një atmosferë të afërt komunikuese të admirimit dhe dashurisë së publikut ndaj një arti të mirë dhe ndaj një qyteti të dashur, si simbioza e një vendbanimi dhe e kulturës së një kombi në trashëgim.    Një qytet si Shkodra e kërkon dhe e ruan një hapësirë të tillë të artit, ku artistët pa dallim tjetër, përveç atij të një qëndrimi serioz e të përgjegjshëm artistik në lidhje me shoqërinë, jo vetëm mund të ekspozojnë krijimet e tyre, por aq më tepër të ndërveprojnë me publikun duke ngritur diskutime e platforma artistike e më gjerë, të cilat të mund të sjellin ngacmimet e duhura për zhvillime interesante e të nevojshme për shoqërinë urbane, ritmi i së cilës në jetën moderne, plazmohet në mënyrë të vazhdueshme.”

 Një juri e përbërë nga profesionistë të fushës, do të përzgjedhë çmimin fitues të Sallonit të vjeshtës 2016. Shpërblimi për veprën fituese do të jetë 100.000 lekë (përfshirë detyrimet tatimore). Vepra fituese do të bëhet pjesë e koleksionit të Galerisë së Arteve Shkodër.

Vlerësimet e jurisë së aktivitetit nuk përbëjnë subjekt replikimi të mëtejshëm. 

 Rregullat e pjesmarrjes:

-      Pjesmarrja është e lirë pavarësisht nga vendbanimi.

-      Ftesa është e hapur për të gjithë artistët në mediumet e pikturës, skulpturës dhe grafikës/vizatimit.

-      Çdo autor mund të paraqitet me nga një vepër të paekspozuar më parë në GASH.

-      Punimet e ekspozuara do të publikohen në katalogun që do të shoqërojë aktivitetin në fjalë.

-      Formati i veprave në pikturë (vaj, tempera, akrilik, kolazh, teknikë e përzier) dhe formati i veprave grafike (vizatime me laps, karbon, pastel, akuarel, teknika grafike  të incizimit, etj) nuk duhet ti kalojë 200 cm (gjerësi) x 150 cm (lartësi).

-      Në pjesën e pasme të çdo punimi duhet të shkruhen qartësisht të dhënat e autorit dhe të veprës : emri -mbiemri i autorit, adresa, nr.i telefonit, titulli i veprës, teknika, viti i realizimit dhe formati.

-      Galeria nuk merr përsipër transportin e veprave në fjalë.

-      Artistët pjesmarrës duhet të tërheqin punimet e tyre brenda javës që pason mbylljen e aktivitetit.

-      Pjesmarrësit në këtë aktivitet duhet të pranojnë fillimisht zbatimin e rregullave  të pjesmarrjes të përshkruara më sipër.

 Ftohen artistët e interesuar të bëjnë dorëzimin e punimeve pranë kësaj galerie çdo ditë pune, nga datat 7-18 nëntor 2016, ora 8.oo – 15.oo.

Faleminderit për bashkëpunimin!

GALERIA E ARTEVE E SHKODRËS Adresa: Shkodër, Rruga Dr. Selaudin Bekteshi/ (Tek ish-atelieja), kati II-të