OFF-CELLS, Lek M.Gjeloshi
Në Galerinë e Arteve të Shkodrës, më dt. 9 shtator, u përurua ekspozita personale e artistit Lek M. Gjeloshi.
“Neurofiziologët na bëjnë me dije që mungesa e dritës nxit një seri qelizash periferike të retinës, të quajtura off-cells, që aktivizohen e prodhojnë atë lloj të veçantë vizioni që quajmë errësirë […] Mund të quhet bashkëkohor vetëm ai që nuk lejon të verbohet nga dritat e shekullit dhe arrin të shquajë pjesën e hijes, errësirën e strukur ndër to.”
Teksti i mësipërm, propozim për një definicion të “bashkëkohores” nga filozofi italian Giorgio Agamben, i cili na fton ta përceptojmë errësirën jo si një koncept mohues/privues apo si një mungesë e thjeshtë drite, qëndron në thelb të procesit që aktivizon ekspozita e Lek M. Gjeloshit, fitues i Ҫmimit Idromeno 2015. E përbërë nga vepra të realizuara në periudha të ndryshme kohore – si video, foto-instalacione e ndërhyrje specifike me audio-n –, ajo ofron intensitete të ndryshme drite e tingujsh që manifestohen në siperfaqe e hapësira pothuajse tërësisht monokromatike.
Ekspozita mundësohet nga Bashkia Shkodër, në kuadër të mbështetjes së projekteve institucionale që nxisin dhe promovojnë krijuesit e rinj në fushën e artit e të kulturës dhe do te qendroje e hapur deri me dt. 29 shtator 2016