Koleksioni i Galerisë së Arteve të Shkodrës
Koleksioni i Galerisë së Arteve të Shkodrës përbëhet prej rreth 700 pikturash, skulpturash, vizatimesh dhe fotosh, vepra te realizuara nga artiste shqiptare ne nje hark kohor prej rreth njeqind vjetesh, nga fillimi i shekullit te kaluar deri ne ditet e sotme.

Emrat e Kolë Idromenos - themelues i traditës së re piktorike shqiptare, Ndoc Martinit, Simon Rrotës, Andrea Kushit, Zef Kolombit, konsiderohen të një rëndësie të veçantë për pikturën shqiptare të gjysmes se pare te shekullit XX, periudhë që shënon fillimet e një pikture qytetare laike në artin shqiptar.

Edukimi i tyre në shkollat artistike perëndimore, kryesisht italiane, përcaktuan edhe tiparet profesioniste dhe frymën realiste të veprës së tyre që do të jetë pararendëse e zhvillimeve të mëvonshme në pikturën shqiptare.
Nje pjese e rendesishme e krijimtarise se tyre ben pjese ne fondin e Galerise Kombetare te Arteve,Tirane.

Pjesa dërmuese e veprave të koleksionit që disponon GA Shkodër, i përkasin periudhës nga 1946 deri në fund te viteve -80, periudhë që përkon me vendosjen dhe sundimin e sistemit politik komunist në Shqipëri, ashtu si në një pjesë të mirë të vendeve të Europës Lindore. Bëhet fjalë për një epokë historike ku politika dhe ideologjia e shtetit totalitar përcaktoi marrëdhëniet e diktatit mbi artin ashtu si mbi gjithë jetën e shoqërisë. Një brez artistësh që studjuan tashmë në shkollat e lindjes [Bashkimin Sovjetik, Poloni,etj] me rikthimin e tyre në Shqipëri i japin jetë të ashtuquajturit "realizmi socialist", të mbështetur në filozofinë marksiste.

Pikturat dhe skulpturat e kesaj periudhe pasqyrojnë zhvillimet në artin pamor shqiptar përgjatë një periudhe mbi 40 vjeçare dhe njëkohësisht dëshmojnë konsolidimin, hap pas hapi, të një drejtimi artistik që ja nënshtroi artin propagandës, që u angazhua në përpunimin e mitit të një të ardhmeje utopike dhe në formulimin e imazhit të një njeriu "të ri", krenar për të kaluarën heroikë te kombit të vet dhe realitetin frymëzues të ndërtimit të socializmit. Veprat e kësaj periudhe pohojnë gjithashtu dyzimin e artistit mes lirisë së krijimit dhe konformizmit, mes detyrimit zyrtar dhe dëshirës për ti ikur nëpërmjet kërkimesh artistike individuale dhe gjetjesh të tërthorta.

Në fondin e kësaj galerie gjenden piktura të I.Lulanit, D.Jukniut, A.Dodmasej, J.Kerajt, F.Pacit, F.Ashikut etj, personalitete perfaqesuese të artit shqiptar të kësaj periudhe.

Zhvillimet ne artin shkodran dhe shqiptar pas viteve '90 deri ne ditet e sotme jane gjithashtu te pasqyruara në koleksionin e kesaj galerie, ndonese me nje numer akoma te kufizuar veprash.